Berisha nuk do të jetë më në krye të PD? Kryesia shpall datën për zgjedhjet e kryetarit të ri të opozitës

Anëtarësia e Partisë Demokratike të Shqipërisë do të votojë më 23 maj për kryetarin e ri të kësaj force politike. Vendimi është marrë këtë të hënë në mbledhjen e Kryesisë së partisë.

Sipas vendimit, deri më 30 prill duhet të përfundojnë zgjedhjet për drejtuesit në të gjitha degët e partisë në rrethe. Pas këtij procesi, më 23 maj, anëtarësia dhe strukturat e riformatuara do të votojnë për kryetarin e Partisë Demokratike.

Ende nuk dihet nëse Sali Berisha do të rikandidojë për drejtimin e partisë. Vetë Berisha, sa herë është pyetur nga gazetarët, nuk ka lënë të kuptohet se do të tërhiqet nga gara, megjithëse vendimi përfundimtar mbetet i paqartë.

Interes mbetet edhe fakti nëse Kryesia e partisë do të lejojë në garë edhe figura kritike ndaj lidershipit aktual, mes tyre edhe Ervin Salianji, i cili ka shprehur publikisht pakënaqësi për mënyrën si po drejtohet opozita.

Pas këtij procesi, më 6 qershor demokratët do të mbledhin edhe Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, organi më i lartë vendimmarrës i partisë, i përbërë nga rreth 1100 anëtarë të zgjedhur nga kuvendet e degëve në të gjithë vendin.

Në mbledhjen e së hënës, Kryesia vendosi gjithashtu rishikimin e Statutit të Partisë Demokratike. Në krye të grupit të punës është vendosur Gazment Bardhi, i cili do të asistojë procesin së bashku me një grup prej nëntë anëtarësh.

Në këtë grup bëjnë pjesë: Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Elda Hoti, Keltis Kruja, Adriana Kalaja, Marash Logu dhe Franc Nuri.