Një 32-vjeçar shqiptar është gjetur i pajetë në ambientet e një resorti me 5 yje në Gargnano të Italisë. Ngjarja u zbulua nga disa punonjës të resortit, të cilët tentuan disa herë të hynin në dhomën e tij duke trokitur në derë, por nuk morën asnjë përgjigje.
Sipas mediave italiane, burri u dërgua fillimisht në spital, por mjekët konstatuan se ai kishte ndërruar jetë. Në dhomën ku po qëndronte u gjetën disa pako ilaçesh bosh pranë shtratit.
Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e një akti vetëvrasjeje, megjithëse vetëm hetimet e mëtejshme do të sqarojnë plotësisht rrethanat e vdekjes.
Mësohet se 32-vjeçari kishte qëndruar në resort për rreth një ditë. Në vendngjarje kanë ndërhyrë edhe karabinierët, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur atë që ka ndodhur.
Nga verifikimet e para nuk janë konstatuar shenja dhune në trupin e viktimës dhe, sipas të dhënave paraprake, është përjashtuar përfshirja e personave të tjerë në ngjarje.