Porti në Porto Romano/ Rama: “Kompania u tërhoq për shkak të krizës, asnjë presion nga SHBA apo BE”

Kryeministri Edi Rama deklaroi se kompania e vetme e mbetur në garë për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është tërhequr nga procesi pasi se kostot financiare janë rritur për shkak të situatës së krizës.

Në një konferencë për shtyp, Rama u shpreh se deri më tani nuk ka asnjë të dhënë që kompania të ketë qenë nën presion nga SHBA apo BE, por theksoi se gjatë gjithë procesit ka pasur presione nga faktorë të tjerë që, sipas tij, nuk janë të interesuar që projekti i portit të ri të jetë një histori suksesi.

Sipas Ramës, tërheqja e kompanisë ndodhi në momentin e fundit, me arsyetimin se situata e krizës ka ndikuar në rritjen e kostove, ndërsa oferta financiare do të lidhej me tavanin e përcaktuar nga studimi i realizuar nga një prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare në këtë fushë.

Megjithatë, argumenti për kostot është parë me skepticizëm, pasi konsorciumi kishte kërkuar më herët, në janar, shtyrjen e afatit deri më 9 mars për të paraqitur një ofertë të plotë teknike dhe tregtare.

Pak ditë më parë, një email i dërguar autoriteteve shqiptare, përfshirë kryeministrin Rama, nga presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Van Cleve, ngrinte shqetësime për përmasat dhe kapacitetet përpunuese të portit të ri dhe kërkonte pezullimin e procedurës së tenderimit.

Rama deklaroi se nuk ka pasur presion nga SHBA apo BE, por nga faktorë të tjerë të cilët nuk i përmendi me emra.

“Nuk kemi të dhëna që kompania është ndodhur nën ndonjë presion, por i gjithë procesi është zhvilluar nën presion. Jo nën presionin e SHBA siç thuhet. S’ka pasur asnjë shqetësim as nga SHBA, as nga BE. Por ka pasur presion nga faktorë të painteresuar që ai port të jetë një histori suksesi”, u shpreh Rama.

Kryeministri kritikoi gjithashtu zërat që kundërshtojnë projektin, duke theksuar se porti aktual në Durrës nuk ka kapacitet për t’u kthyer në një nyje strategjike të Korridorit VIII.

Sipas tij, edhe nëse porti ekzistues përmirësohet, ai mbetet i papërshtatshëm për t’u shndërruar në një qendër të rëndësishme logjistike, pasi ndodhet në mes të qytetit.

Ndërtimi i portit të ri në Porto Romano ishte planifikuar në dy faza dhe do të kishte një thellësi më të madhe ujore krahasuar me portin aktual, duke mundësuar ankorimin e anijeve më të mëdha. Vetëm në fazën e parë parashikohej përpunimi i rreth 500 mijë kontejnerëve në vit, krahasuar me rreth 180 mijë që përpunohen aktualisht në Portin e Durrësit.

Rama bëri të ditur se qeveria po punon për një skenar tjetër për realizimin e projektit, por pa dhënë detaje konkrete, duke theksuar se do të flasë për të vetëm kur gjithçka të jetë gati.

Ai shtoi gjithashtu se ka forca të brendshme dhe të jashtme që nuk e mirëpresin forcimin e Shqipërisë dhe zhvillimin e projekteve strategjike në vend.