René Redzepi, një nga kuzhinierët më të njohur në botë dhe drejtuesi i restorantit legjendar Noma, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i restorantit pas akuzave për abuzim ndaj stafit dhe protestave të zhvilluara jashtë lokacionit të përkohshëm të restorantit në Los Angeles.
Restoranti danez Noma konsiderohet prej vitesh një nga më të vlerësuarit në botë. Prej muajsh, Redzepi dhe ekipi i tij kishin përgatitur një restorant pop-up në Los Angeles, ku rezervimet për një eksperiencë gjashtëjavore kushtonin rreth 1500 dollarë për person. Pavarësisht çmimit të lartë, të gjitha vendet u shitën brenda pak minutash.
Në një postim në rrjetet sociale, Redzepi, me origjinë shqiptare, tha se javët e fundit kanë sjellë diskutime të rëndësishme rreth restorantit, industrisë së gastronomisë dhe mënyrës së tij të drejtimit në të kaluarën.
“Javët e fundit kanë sjellë vëmendje dhe biseda të rëndësishme për restorantin tonë, industrinë dhe stilin tim të drejtimit në të kaluarën. Pas më shumë se dy dekadash duke ndërtuar dhe drejtuar këtë restorant, kam vendosur të tërhiqem dhe t’u jap mundësinë drejtuesve tanë të jashtëzakonshëm ta udhëheqin Noma-n në kapitullin e ardhshëm,” shkroi ai.
Redzepi bëri të ditur gjithashtu se është larguar edhe nga bordi i organizatës së tij jofitimprurëse, MAD, e cila synon të mbështesë personat që hyjnë për herë të parë në industrinë e restoranteve.
Vendimi vjen pasi disa sponsorë të mëdhenj, përfshirë American Express, u tërhoqën nga projekti i Noma-s në Los Angeles. Kjo ndodhi pas publikimit të një artikulli nga The New York Times, ku dhjetëra ish-punonjës e akuzuan Redzepin për krijimin e një ambienti pune toksik, të shoqëruar me ofendime verbale të vazhdueshme dhe, në disa raste, edhe trajtim fizik ndaj stafit.
Një nga ish-punonjësit e restorantit, Jason Ignacio White, tha se kishte qenë dëshmitar i shumë rasteve të abuzimit gjatë pesë viteve që punoi si drejtor i fermentimit në Noma, një nga pozicionet më të larta drejtuese në kompani.
“Për të qenë i sinqertë, mendoj se pasojat e heshtjes janë më të rënda sesa të flasësh dhe të qëndrosh përkrah kolegëve kundër dhunës,” u shpreh ai.
Sipas tij, në kuzhinë kishte incidente të shumta të rënda, përfshirë raste kur punonjësit goditeshin me pirunë barbecue apo konflikte fizike mes stafit.
Ndërkohë, Redzepi reagoi ndaj akuzave me një deklaratë publike ku kërkoi ndjesë dhe pranoi se po punon për të menaxhuar më mirë zemërimin e tij përmes terapisë.
Protestues gjithashtu u mblodhën jashtë lokacionit pop-up të Noma-s në Paramour Estate, në zonën e Silver Lake në Los Angeles, duke kërkuar më shumë përgjegjësi për mënyrën se si trajtohen punonjësit në industrinë e gastronomisë.