Arrestohet në Dubai një turist britanik, dyshohet se filmoi raketat iraniane mbi qytet

Një turist britanik është arrestuar në Dubai pasi dyshohet se ka filmuar raketat iraniane mbi qytet dhe ka mbajtur në telefon një video të sulmit. Ai është akuzuar sipas ligjeve për krimin kibernetik në Emiratet e Bashkuara, të cilat ndalojnë publikimin ose shpërndarjen e materialeve që mund të cenojnë sigurinë publike.

Sipas organizatës Detained in Dubai, e cila ofron ndihmë ligjore për persona të ndaluar në Emirate, turisti nga Londra u akuzua së bashku me rreth 20 persona të tjerë pasi policia gjeti në telefonin e tij një video që tregonte një sulm me raketa iraniane mbi qytet.

Zyrtarë të UK Foreign Office raportohet se po mbështesin familjen e tij pas ndalimit. Drejtoresha ekzekutive e organizatës, Radha Stirling, tha se akuzat ndaj tij janë shumë të paqarta.

“Kam shqyrtuar dokumentin e akuzës dhe vetëm duke e lexuar nuk kuptohet saktësisht se çfarë ka bërë gabim,” tha ajo për BBC, duke shtuar se gjithnjë e më shumë persona po përballen me akuza sipas ligjeve të krimit kibernetik në Emirate.

Stirling theksoi se familja e turistit ka arritur të komunikojë me të pas arrestimit. Sipas saj, autoritetet në Emirate mund të kenë ndërmarrë masa ndaj personave që kanë filmuar raketat për të ruajtur imazhin e vendit si një destinacion i sigurt për turistët, ndërkohë që kritika ndaj qeverisë konsiderohet e paligjshme në vend.

Nga ana tjetër, organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International ka deklaruar se Emiratet e Bashkuara Arabe “vazhdojnë të kriminalizojnë lirinë e shprehjes përmes një sërë ligjesh dhe të ndëshkojnë kritikët aktualë apo të perceptuar të qeverisë”.

Prej vitesh, Dubai ka ndërtuar reputacionin e një destinacioni tërheqës për turistët dhe për emigrantët që kërkojnë mundësi biznesi dhe pune.

Ndërkohë, konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në javën e dytë pas sulmeve të gjera që SHBA dhe Izraeli nisën ndaj Iran, ku më 28 shkurt u vra edhe lideri suprem i vendit.

Irani ka vijuar të kundërpërgjigjet me sulme ndaj Izraelit dhe ndaj vendeve aleate të SHBA-ve në Gjirin Persik, ndërsa sulmet janë zgjeruar edhe ndaj objektivave jo-ushtarake, përfshirë zona civile dhe objekte energjetike.

Nga këto sulme janë dëmtuar edhe disa nga ndërtesat më të njohura në Emiratet e Bashkuara Arabe, përfshirë hotelin Fairmont The Palm në zonën luksoze Palm Jumeirah dhe hotelin ikonik Burj Al Arab. Konflikti ka shkaktuar gjithashtu ndërprerje të mëdha të fluturimeve në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.