Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Bulqizës, ku tre të rinj kanë mbetur të plagosur me thikë pas një konflikti.
Sipas informacioneve paraprake, sherri ka nisur brenda një lokali në qytet, ndërsa më pas të rinjtë kanë dalë jashtë ambienteve për t’u sqaruar, ku konflikti ka degjeneruar në përplasje fizike.
Gjatë sherrit janë përdorur edhe mjete prerëse, duke bërë që tre persona të mbeten të plagosur me thikë. Të rinjtë janë transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore dhe më pas janë nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Sipas të dhënave paraprake, të plagosur kanë mbetur Fluturim Tolle, 26 vjeç, Adhurim Koçi, 26 vjeç dhe Renaldo Dauti, 22 vjeç.
Mësohet se 26-vjeçari Fluturim Tolle ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Ende nuk dihen motivet që çuan në konfliktin e dhunshëm, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.