Rihapet Liceu Francez në Korçë! Franca mbulon një pjesë të kostove për 5 vitet e para

Vizita e presidentit francez Emmanuel Macron në Shqipëri në fund të vitit 2023 po konkretizohet me hapa të qartë në fushën e arsimit. Ministria e Arsimit ka hartuar një projektligj për rihapjen e Liceut Francez në Korçë, një institucion publik që do të ofrojë arsim të mesëm dygjuhësh dhe do t’u japë nxënësve dy diploma, shqiptare dhe franceze.

Sipas draftit të hedhur në konsultim publik, kostoja për një nxënës në këtë lice pritet të jetë rreth pesë herë më e lartë se në një gjimnaz publik standard. Kjo lidhet me modelin dygjuhësh të mësimdhënies, përfshirjen e stafit pedagogjik ndërkombëtar dhe pajisjet laboratorike shkencore që do të ketë institucioni.

Dokumenti parashikon që drejtori i liceut të propozohet nga Ministria franceze e Arsimit Kombëtar, ndërsa zv/drejtori nga pala shqiptare. Gjatë pesë viteve të para të funksionimit, Franca do të mbulojë kostot që lidhen me pozicionin e drejtorit të shkollës, i cili pritet të jetë një drejtues me përvojë në sistemin arsimor francez dhe me një pagë rreth 10 mijë euro në muaj. Kostoja e këtij pozicioni llogaritet rreth 115 mijë euro në vit, ose rreth 594 mijë euro për pesë vite.

Sipas relacionit të projektligjit, kërkohet gjithashtu një investim fillestar për pajisjen dhe mobilimin e institucionit, i cili vlerësohet rreth 2 milionë euro. Në buxhetin e Ministrisë së Arsimit për periudhën 2026–2028 janë planifikuar rreth 100 milionë lekë, ose afërsisht 1 milion euro për këtë projekt.

Po ashtu, në buxhetin e viteve 2026–2028 janë parashikuar edhe fondet për burimet njerëzore të palës shqiptare, ndërsa kostot e mensës dhe konviktit do të përballohen nga Bashkia e Korçës.

Liceu pritet të ketë autonomi financiare dhe procesi mësimor do të zhvillohet në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe anglisht. Një nga kriteret kryesore për regjistrimin e nxënësve do të jetë njohja e gjuhës frënge. Aplikimet për nxënësit shqiptarë do të bëhen përmes platformës e-Albania, ndërsa për të huajt do të kryhen fizikisht në adresën e liceut.

Në funksionimin e institucionit pritet të ketë rol të rëndësishëm edhe Këshilli Administrativ i Liceut, ku do të bëjnë pjesë përfaqësues të nivelit të lartë, përfshirë ministrin e Arsimit dhe ambasadorin e Francës në Shqipëri.