Detaje të reja dalin nga tragjedia e Xhuana Nikollit, 25-vjeçares nga Lezha, e cila ndërroi jetë një ditë më parë në QSUT. Sipas informacionit të fundit, para se të ndërmerrte aktin fatal, 25-vjeçarja la një letër për prindërit, ku shprehte se nuk donte më të lëndohej dhe i kërkonte falje nënës dhe babait për vendimin e saj.
Familjarët e Xhuanës kanë bërë kallëzim në Komisariatin nr. 2, duke akuzuar ish-bashkëshortin e saj, Eraldo Fizi, për dhunë fizike. Fizi ishte kthyer nga jashtë vendit më 9 shkurt dhe dyshohet se po atë ditë ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij.
Gjatë ekzaminimit të trupit të pajetë, autoritetet kanë konstatuar shenja të dhunës në kokë, fytyrë dhe njërin krah, që përputhen me pretendimet e familjarëve për dhunën që Nikolli kishte përjetuar, teksa Fizi është shpallur në kërkim.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore lidhur me këtë rast tragjik.