GJK e cilësoi mbylljen e TikTok cenim të fjalës së lirë, Rama: Sipas këtij vendimi paska qenë gabim 90% e prindërve dhe mësuesve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mbylljen e rrjetit social TikTok, të cilën gjykata e ka konsideruar si një cenim të lirisë së shprehjes.

Në reagimin e tij, Rama ironizoi qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se sipas këtij vendimi rezulton sikur 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë kanë qenë gabim kur kërkuan mbylljen e përkohshme të platformës.

Sipas kryeministrit, mbyllja e përkohshme e TikTok-ut solli rezultate konkrete, pasi kompania mori masa shtesë për kontrollin dhe sigurinë e përmbajtjeve në platformë. Ai theksoi se rihapja e rrjetit social u bë pas një mirëkuptimi me kompaninë dhe ndryshimeve që ajo ndërmori për të përmirësuar standardet e sigurisë.

“Falë asaj mbylljeje sot prindërit dhe mësuesit mund të jenë pakëz më të lehtësuar, ndërsa falë këtij vendimi që s’dua t’ia ve emrin që ka, shpifësit mund të ndjehen të inkurajuar”, shkroi Rama në reagimin e tij.