Një 25-vjeçare ka ndërruar jetë një ditë më parë në Tiranë, pasi konsumoi fostoksinë. Xhuana Nikolli nga Lezha, mësohet se ka mbërritur në QSUT pa shenja jete. Ajo ka ndërruar jetë rrugës për në spital dhe dyshohet se ka pësuar arrest kardiak si pasojë e konusmimit të fostoksinës.
Ende nuk dihen cilat janë arsyet që e çuan të renë drejt këtij akti, por familjarët e saj kanë bërë kallëzim ndaj ish-partnerit të së ndjerës. Në kallëzimin e bërë në komisariatin numër 2 në Tiranë, familjarët pretendojnë se është dhuna që partneri ka ushtruar ndaj Nikollit, që e ka detyruar atë të konsumojë fostoksinën.
Madje, familjarët pretendojnë se vajza e tyre ka në trup edhe shenja dhune, por do të jetë një autopsi e Institutit Mjekoligjor që do të përcaktojë nëse ndaj saj është ushtruar apo jo dhunë.
Blutë e kryeqytetit kanë shpallur në kërkim partnerin e së resë, Eraldo Fizin, të akuzuar për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, por nga kontrollet që janë bërë deri më tani ai ende nuk është gjetur.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2: shpallën në kërkim, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, shtetasin E. F., 25 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij, veprim i cili dyshohet se është bërë shkak që shtetasja të konsumojë Fotoksinë. Si pasojë, ajo ka humbur jetën në spital. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e 25-vjeçarit, si dhe për sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave të rastit”, njofton Policia.
25-vjeçarja Xhuana Nikolli dhe i riu Fizi ishin martuar në qershor të vitit 2025, por janë ndarë pas 3 muajve për shkak të konflikteve.