Kuvendi i Shqipërisë ka bërë të ditur se mbrëmjen e djeshme është konstatuar një akses i paautorizuar në infrastrukturën IT të institucionit, duke ngritur dyshime për një sulm kibernetik ndaj sistemit elektronik.
Sipas njoftimit zyrtar, incidenti është evidentuar rreth orës 21:00, kur gjatë verifikimeve është vënë re se një pjesë e informacionit ishte fshirë në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës së Kuvendit.
Vlerësimet paraprake teknike tregojnë se mund të bëhet fjalë për një sulm kibernetik të sofistikuar, i cili dyshohet se ka pasur si qëllim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme të institucionit.
Megjithatë, nga analizat e para rezulton se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur. Faqja zyrtare e Kuvendit dhe sistemet që mbështesin funksionimin e institucionit vijojnë të operojnë normalisht.
Pas konstatimit të incidentit, janë marrë menjëherë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit, ndërsa ekipet teknike kanë nisur punën për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve.
Për menaxhimin e situatës është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore, e cila po punon për analizimin e plotë të incidentit, identifikimin e burimit të sulmit dhe rikthimin e të dhënave të prekura.
Në këtë proces, Kuvendi i Shqipërisë po bashkëpunon me institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike, përfshirë Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit dhe Komandën Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes.
Po ashtu, mësohet se për këtë situatë është mbledhur me urgjencë edhe Këshilli i Sigurisë, ndërsa gjatë orëve të fundit është ofruar mbështetje teknike edhe nga partnerët ndërkombëtarë për vlerësimin e situatës dhe hapat e mëtejshëm.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës së sotme, përmes një postimi në Telegram, grupi i njohur aktivist Homeland Justice ka pretenduar se qëndron pas sulmit ndaj postës elektronike të Kuvendit.
Sipas këtij grupi, ata pretendojnë se kanë në zotërim bisedat dhe korrespondencën e deputetëve shqiptarë gjatë muajve të fundit.
“Të gjitha bisedat dhe korrespondenca e anëtarëve të korruptuar të Kuvendit gjatë muajve të fundit janë në duart e Homeland Justice. Ne jemi shumë më pranë jush sesa mendoni. A i strehuat vërtet ata vrasës dhe vrasës fëmijësh? Ne do të sigurohemi që kjo turp të mbetet me ju përgjithmonë”, thuhet në postimin e publikuar në Telegram nga ky grup.