U emërua zëvendës drejtor i BKH-së/ Kush është Mentor Çuku, vëllai i Komisarit të hekurt që u vra tetë vite më parë në Tiranë

Mentor Çuku është emëruar këtë të hënë zëvendësdrejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Lajmi është bërë i ditur nga Prokuroria e Posaçme përmes një njoftimi zyrtar për mediat.

Sipas njoftimit, Çuku është hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit dhe ka një përvojë të gjatë profesionale në hetimin e veprave penale që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e rënda.

Prokuroria e Posaçme bëri me dije se përzgjedhja e tij është bërë pas një procesi të hapur dhe transparent konkurrimi, ndërsa mandati i tij në këtë detyrë do të jetë 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

Sipas SPAK, për këtë pozicion aplikuan 11 kandidatë që plotësonin kriteret ligjore dhe profesionale për funksionin, ndërsa procesi i përzgjedhjes u konsiderua sfidues për shkak të nivelit të lartë të përgatitjes së kandidatëve.

“Z. Mentor Çuku është hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe zotëron një përvojë të gjatë dhe të konsoliduar profesionale në hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimeve të rënda. Gjatë karrierës së tij ai është dalluar për integritet të lartë profesional, aftësi drejtuese dhe përkushtim të vazhdueshëm”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Kush është Mentor Çuku

Mentor Çuku është vëllai i kryekomisarit Artan Cuku, i cili u vra tetë vite më parë në Tiranë dhe më pas u shpall “Dëshmor i Atdheut”. Artan Cuku u ekzekutua me armë zjarri në hyrje të pallatit ku banonte, në zonën e njohur si “Rruga e Kosovarëve”.

Mentor Çuku ka qenë ndër hetuesit e parë që iu bashkua Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe më herët ishte edhe në garë për drejtimin e këtij institucioni, ku në fund u përzgjodh Joni Keta.

Nga ana tjetër, Artan Cuku kishte një karrierë 16-vjeçare në Policinë e Shtetit, ku mbajti disa poste të rëndësishme. Ai ka shërbyer si shef i Antitrafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, shef i Krimeve në Tiranë, Shkodër dhe Fier, si dhe zëvendësdrejtor i Krimeve në Policinë e Tiranës, përpara se të emërohej drejtor i Policisë në Vlorë.