Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dorëzuar në Kuvend raportin vjetor për vitin 2025, ku paraqiten rezultatet e punës, si dhe sfidat me të cilat është përballur institucioni gjatë vitit të kaluar.
Sipas raportit, krahasuar me vitin 2024, është shënuar një rritje prej 3.4% e çështjeve dhe hetimeve të përfunduara në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar. Ndërkohë, në luftën kundër korrupsionit është regjistruar një rritje prej 17.7% e çështjeve dhe hetimeve të reja, si dhe një rritje prej 12.2% e hetimeve të përfunduara.
Në raport, SPAK ndalet edhe te sfidat dhe problematikat që has institucioni në ushtrimin e detyrës. Sipas këtij dokumenti, disa prej sfidave kërkojnë ndryshime të mundshme ligjore, përfshirë edhe ndërhyrje në Kushtetutë, në ligjin organik nr. 95/2016 dhe në ligje të tjera që lidhen me funksionimin e institucioneve të drejtësisë, me qëllim garantimin e cilësisë dhe mbarëvajtjes së punës së institucionit.
Sa i përket hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë, SPAK thekson se retorika mediatike dhe politike mund të ndikojë në perceptimin publik dhe në autoritetin e institucionit. Sipas raportit, kjo mund të shërbejë edhe si faktor që nxit rritjen e kërcënimeve nga krimi i organizuar.
Struktura e Posaçme nënvizon gjithashtu se çdo nismë apo masë ligjore ose institucionale që synon kufizimin e mjeteve proceduriale dhe të pavarësisë së saj konsiderohet shqetësuese.
Sipas SPAK, ndërhyrje të tilla do të përbënin rrezik serioz për funksionimin kushtetues të institucionit dhe për vetë shtetin e së drejtës.
Në raport përmenden gjithashtu edhe disa çështje të tjera problematike, mes të cilave kompetencat e Gjykatave të Posaçme dhe bashkëpunimi me institucionet publike, të cilat konsiderohen të rëndësishme për rritjen e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.