Plagosja në Sauk/ Policia njoftim zyrtar: Turku 39-vjeçar paraqitet i plagosur në spital, nisin kërkimet për autorin

Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me plagosjen e ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne në zonën e Saukut, në Tiranë.

Sipas informacionit paraprak nga Policia e Shtetit, rreth orës 19:25 është paraqitur për mjekim në spital një shtetas turk, i identifikuar me inicialet H. U., 39 vjeç, i cili dyshohet se është plagosur me armë zjarri në një lokal në zonën e Saukut.

Autoritetet bëjnë me dije se 39-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në spital.

Ndërkohë, policia ka ngritur një grup hetimor, i cili po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Deri më tani nuk janë bërë të ditura motivet e plagosjes dhe as nëse ka persona të tjerë të përfshirë në incident.

Njoftimi i policisë

“Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 09.03.2026, rreth orës 19:25, është paraqitur për mjekim në spital shtetasi i huaj turk H. U., 39 vjeç, i cili dyshohet se është plagosur me armë zjarri në një lokal në Sauk.

39-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.”