Sekretariati i Etikës në Kuvend ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e deputetit socialist Taulant Balla, pas debatit dhe fyerjes ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi gjatë seancës së fundit plenare.
Opozita kishte kërkuar përjashtimin e Ballës nga Kuvendi për një periudhë prej 60 ditësh, pasi gjatë përplasjes verbale ai iu drejtua Vokshit me një koment që u konsiderua ofendues, duke deklaruar se “e ka numrin 0900”. Pavarësisht kësaj kërkese, Sekretariati i Etikës vendosi të mos marrë masë disiplinore ndaj deputetit socialist.
Ndërkohë, Sekretariati i Etikës ka vendosur përjashtimin me nga 10 ditë nga Kuvendi për dy deputetët e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
Kërkesa për ndëshkimin e dy deputetëve demokratë ishte bërë nga Partia Socialiste pas tensioneve të krijuara gjatë seancës së fundit parlamentare.
Përplasjet dhe tensionet në sallën e Kuvendit kanë sjellë reagime edhe nga shumica. Partia Socialiste ka propozuar miratimin e një rezolute në Parlament për të dënuar gjuhën fyese dhe degradimin e debatit politik gjatë seancave parlamentare.