Një incident me armë zjarri është regjistruar pasditen e kësaj të hëne në lagjen “Kiras” në Shkodër, një zonë që shpeshherë përmendet nga autoritetet si bastion i grupit të lidhur me Ibrahim Licin, i njohur në botën e krimit me nofkën “Fantazma”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:10 gjatë një patrullimi rutinë të policisë në këtë zonë. Sipas informacioneve paraprake, efektivët kanë konstatuar një automjet në të cilin udhëtonin dy persona dhe i kanë bërë shenjë drejtuesit të ndalonte për një kontroll.
Megjithatë, drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit të policisë dhe shtoi shpejtësinë, duke kryer edhe manovra të rrezikshme në rrugë për t’i shpëtuar kontrollit.
Menjëherë pas kësaj, shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të automjetit. Gjatë largimit, pasagjeri që ndodhej në makinë ka nxjerrë një armë zjarri dhe ka qëlluar një herë në ajër.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se personi që ka qëlluar dyshohet të jetë një nga bashkëpunëtorët e afërt të Ibrahim Licit. Pas një ndjekjeje të shkurtër, policia arriti të ndalojë drejtuesin e automjetit, i cili është shoqëruar në komisariat, ndërsa identiteti i tij nuk është bërë ende publik.
Ndërkohë, pas incidentit, dhjetëra forca policie kanë mbërritur në zonë dhe kanë rrethuar perimetrin, ndërsa është ngritur një operacion për kapjen e pasagjerit që arriti të largohej.
Në një reagim zyrtar, Policia e Shtetit bëri me dije se pasagjeri dyshohet se ka qëlluar një herë në ajër gjatë tentativës për t’u larguar.
“Shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje automjetit. Gjatë ndjekjes, dyshohet se pasagjeri në këtë automjet, duke u larguar, ka qëlluar një herë në ajër me armë zjarri dhe është larguar. Shërbimet e Policisë kanë kapur drejtuesin e automjetit, ndërsa vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e pasagjerit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për dokumentimin e përgjegjësisë penale të personave të përfshirë.