Akuza për abuzim fizik e psikologjik ndaj stafit te restoranti Noma, shefi me origjinë shqiptare René Rexhepi kërkon falje publikisht

Shefi i njohur i kuzhinës me origjinë shqiptare, René Rexhepi, ka reaguar publikisht pas akuzave të rënda të bëra nga ish-punonjës të restorantit të famshëm Noma në Kopenhagë, duke kërkuar falje për sjelljen e tij në të kaluarën.

Reagimi vjen pasi The New York Times publikoi një artikull të bazuar në intervista me 35 ish-punonjës të restorantit, të cilët përshkruajnë një model sjelljeje të dhunshme dhe poshtëruese ndaj stafit gjatë viteve të punës në Noma.

Sipas raportimit të medias amerikane, disa prej ish-punonjësve pretendojnë se Rexhepi, 48 vjeç, kishte një stil drejtimi agresiv, duke përfshirë abuzime verbale dhe në disa raste edhe fizike.

Një ish-shefe kuzhine, e identifikuar si Alessia, deklaroi se puna në restorant ishte shumë e vështirë emocionalisht. “Të shkoje në punë ishte si të shkoje në luftë. Duhej ta detyroje veten të ishe e fortë dhe të mos shfaqje frikë”, u shpreh ajo.

Artikulli përshkruan edhe një incident të ndodhur në shkurt të vitit 2014, ku Rexhepi dyshohet se urdhëroi stafin të dilte jashtë restorantit përpara se të qortonte një ndihmës shef kuzhine për muzikën që ishte vendosur në kuzhinë. Sipas raportimit, ai e goditi punonjësin në brinjë dhe e detyroi të kërkonte falje publikisht përpara stafit.

Pas publikimit të këtyre akuzave, Rexhepi reagoi përmes një postimi në Instagram, ku kërkoi falje për sjelljen e tij në të kaluarën.

“Edhe pse nuk i njoh të gjitha detajet e këtyre historive, shoh mjaftueshëm nga sjellja ime e së kaluarës për të kuptuar se veprimet e mia kanë qenë të dëmshme për njerëzit që kanë punuar me mua,” shkroi ai.

Shefi i kuzhinës shtoi se u kërkon falje të gjithë atyre që kanë vuajtur nga mënyra se si ai ka drejtuar kuzhinën. “Për ata që kanë vuajtur nën drejtimin tim, gjykimin tim të gabuar apo zemërimin tim, më vjen thellësisht keq dhe kam punuar për të ndryshuar.”

Rexhepi shpjegoi gjithashtu se kur nisi karrierën në kuzhinë, të bërtiturat, poshtërimi dhe frika konsideroheshin pjesë normale e kulturës së punës në shumë restorante.

“Mbaj mend që mendoja se nëse një ditë do të kisha kuzhinën time, nuk do të drejtoja kurrë në atë mënyrë. Por pasi hapëm Noma-n dhe presioni filloi të rritej, përfundova duke u bërë pikërisht ai lloj shefi që i kisha premtuar vetes se nuk do të isha,” u shpreh ai.

Ai shtoi se në atë periudhë nuk arrinte ta menaxhonte presionin dhe reagonte në mënyra për të cilat sot është penduar. Megjithatë, Rexhepi theksoi se organizata e Noma-s sot është shumë ndryshe nga ajo që ishte në fillimet e saj.

“Nuk mund ta ndryshoj atë që kam qenë atëherë. Por mbaj përgjegjësi dhe do të vazhdoj të punoj për t’u bërë më i mirë,” përfundoi ai.

Restoranti Noma, i hapur nga Rexhepi në vitin 2003 në Kopenhagë, u bë një nga restorantet më të famshme në botë dhe u rendit disa herë si më i miri në botë nga lista “The World’s 50 Best Restaurants”.

Në vitin 2024, restoranti u mbyll në formën e tij tradicionale dhe në vitin 2025 u rihap si një laborator kulinar dhe hapësirë eksperimentale, duke organizuar evente gastronomike dhe projekte të ndryshme në vende të ndryshme të botës.