Operacioni policor në Vlorë/ Zbardhen vrasjet e pronarit të “The Boss” dhe “Gëçes”! Në pranga dy policë

Zbardhen detaje të reja nga operacioni i zhvilluar në Vlorë, ku nga hetimet e deritanishme janë dokumentuar dy vrasje të bujshme dhe disa episode të trafikut të drogës. Në kuadër të këtij aksioni është vënë në pranga edhe shefi i seksionit të Policisë së Kukësit, Rezart Kuçi.

Ndërkohë, ish-punonjësi i policisë Hames Demushi mësohet se është arrestuar në Zvicër. Sipas burimeve, hetimet kanë çuar në zbardhjen e dy vrasjeve të ndodhura disa vite më parë në Vlorë, të dyshuara se lidhen me përplasje në botën e krimit dhe pazare droge.

Një prej ngjarjeve të zbardhura është vrasja e Bledar Birçajt, e ndodhur në maj të vitit 2021. Ai u qëllua me breshëri plumbash teksa po lëvizte me automjetin e tij tip “BMW X5”. Dyshohet se atentati lidhet me aktivitetin kriminal në fushën e trafikut të drogës.

Po ashtu është zbardhur edhe ekzekutimi i Gentian Qarrit, i njohur me nofkën “Gëçe”. Sipas hetimeve, vrasja dyshohet se është kryer për llogari të konflikteve që lidhen me veprimtari kriminale. Ngjarja ka ndodhur më 6 shkurt 2021 pranë Bibliotekës, te Kisha Ortodokse në lagjen “29 Nëntori” në Vlorë.

Sipas informacioneve, disa persona janë ndaluar jashtë vendit në kuadër të këtij operacioni. Dy shtetas janë ndaluar në Itali, një në Greqi, ndërsa mes personave të përfshirë përmenden edhe Ines Hajrulla dhe Ervis Hajrulla. Dyshohet se këta persona kanë porositur dhe organizuar vrasjen e Gentian Qarrit.

Operacioni është shtrirë në disa zona të Vlorës. Forcat speciale kanë bllokuar edhe rrugën e sipërme të zonës së Ujit të Ftohtë, pas blloqeve të pallateve, duke ndaluar kalimin e mjeteve dhe këmbësorëve, ndërsa një dron ka mbështetur operacionin nga ajri.

Vrasja e Bledar Birçajt

Bledar Birçaj, 40 vjeç në atë kohë, u ekzekutua me armë zjarri më 10 maj 2021 në Vlorë. Ai po lëvizte me automjetin e tij tip “BMW X5” në zonën e njohur si “Bishti i Kalldrëmit”, kur ndaj tij u hap zjarr me breshëri kallashnikovi nga një automjet tjetër në lëvizje.

Birçaj, pronar i lokalit të njohur “THE BOSS” në Lungomare, u transportua me urgjencë në spitalin e qytetit, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.

Viktima prej vitesh jetonte në Spanjë dhe ishte kthyer në Shqipëri pak kohë para atentatit ku mbeti i vrarë. Për një kohë të gjatë autorët e kësaj ngjarjeje nuk ishin identifikuar, ndërsa hetimet e fundit kanë çuar në zbardhjen e saj.