Tensione në Bulqizë për ndërtimin e HEC-it, banorët hyjnë me forcë në bashki dhe përplasen me policinë: “Tokat tona do t’i mbrojmë me gjak”

Është tensionuar situata në zonën e Matit, ku prej ditësh banorët po protestojnë kundër realizimit të një HEC-i, për të cilin pretendojnë se punimet po zhvillohen në një zonë që prek tokat e tyre.

Ditën e sotme, pas përplasjeve me policinë, banorët kanë hyrë me forcë në ambientet e Bashkisë së Bulqizës për të kërkuar sqarime nga autoritetet vendore. Gjatë momentit të hyrjes në bashki janë dëgjuar edhe tone të larta mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.

“Shtyhu andej, se s’kemi ardhur për t’u rrahur me ju”, dëgjohet një prej banorëve t’i drejtohet policisë, teksa protestuesit futen brenda ndërtesës së bashkisë.

Të irrituar nga punimet e kompanisë “Doma”, banorët deklaruan para punonjësve të bashkisë se nuk do t’i dorëzojnë tokat e tyre dhe se do të vazhdojnë protestat kundër projektit.

Në një prononcim për mediat, një prej banorëve u shpreh se do të mbrojë pronën e tij me çdo kusht. “Ne do ta mbrojmë me gjak tokën tonë. Nëse ata nuk binden këtu me ne, do ta mbrojmë zonën tonë me gjak. Nuk lejojmë askënd të kalojë aty”, tha ai.

Pas tensioneve, banorët u pritën në një takim nga kryetarja e Bashkisë së Bulqizës, Festime Mjeshtri, e cila mësohet se u ka shprehur mbështetje për shqetësimet e tyre dhe ka dëgjuar kërkesat e komunitetit.

Përplasjet lidhen me një konflikt të hershëm mes banorëve të zonës së Kurdarisë dhe shoqërisë ndërtuese “Doma” në Klos. Më 23 shkurt 2026, mjetet e kompanisë tentuan të rifillonin punimet për hapjen e gjurmës së projektit, duke realizuar rreth 50 metra punime.

Punimet u kundërshtuan nga banorët e zonës, të cilët dolën në protestë dhe bllokuan makineritë, duke mos lejuar vijimin e projektit. Situata vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa banorët paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen nga kundërshtimi i tyre ndaj ndërtimit të HEC-it.