Pagat dhe privilegjet e deputetëve shqiptarë, mijëra euro çdo muaj për qira, dieta, telefon dhe naftë/ 4 ligjvënës refuzojnë përfitimet

Deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, rreth tre vite më parë, vendosën të dyfishonin pagat e tyre. Nga 156.770 lekë, paga mujore u rrit në 310.250 lekë. Por paga nuk është i vetmi përfitim që gëzojnë ligjvënësit, pasi një pjesë e shpenzimeve të tyre mbulohen nga buxheti i shtetit, si qiratë, dietat, nafta dhe telefonia.

Sipas të dhënave, 17 deputetë të Kuvendit përfitojnë bonus qiraje për strehim në Tiranë. Nga këta, 15 i përkasin Partisë Socialiste dhe 2 Partisë Demokratike. Për këtë qëllim, çdo muaj shpenzohen nga 1 deri në 1.3 milionë lekë nga buxheti i shtetit.

Shpenzime të konsiderueshme regjistrohen edhe për përdorimin e automjeteve dhe komunikimin. Vetëm në muajin dhjetor, deputetët kanë shpenzuar 4.472.483 lekë për karburant dhe 2.173.500 lekë për shërbime telefonike, që në total kalojnë vlerën e 60 mijë eurove.

Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuara nga Faktoje.al, për ushqimin e anëtarëve të Parlamentit janë shpenzuar 7.981.017 lekë. Mesatarisht, shpenzimet mujore për deputetët arrijnë rreth 8.5 milionë lekë të reja.

Megjithatë, jo të gjithë ligjvënësit përfitojnë nga këto privilegje. Katër deputetë kanë refuzuar përfitimet që u ofrohen nga buxheti i shtetit. Bëhet fjalë për Agron Shehaj, Sali Berisha, Blendi Klosi dhe Bujar Leskaj. Ky i fundit, përveç dietave, nuk ka përfituar as pagesën prej 17 mijë lekësh për shërbimin telefonik.

Këto të dhëna tregojnë se ndërsa një pjesë e deputetëve përfitojnë nga fondet e parashikuara për funksionimin e tyre, disa prej tyre kanë zgjedhur të mos i marrin këto përfitime.