Lufta në Lindjen e Mesme reflektohet në Shqipëri, rritet çmimi i naftës dhe benzinës në pikat e karburantit

Brenda pak ditësh, çmimi i naftës me pakicë në disa pika karburantesh në Tiranë është rritur dy herë, duke reflektuar tensionet dhe pasiguritë e krijuara nga lufta në Lindjen e Mesme.

Këtë të premte, një litër naftë në disa karburante po shitet deri në 184 lekë për litër, ndërsa në të njëjtin nivel është rritur edhe çmimi i benzinës.

Në kompani të tjera të tregtimit të karburantit, çmimi ka pësuar një rritje nga 175 lekë për litër një ditë më parë, në rreth 182 lekë për litër gjatë ditës së sotme.

Operatorët e tregut të karburanteve në vend kanë nisur të reflektojnë menjëherë pasojat që mund të shkaktojë konflikti në Lindjen e Mesme, i cili ka shtuar pasiguritë në tregtinë globale. Si pasojë, bursat ndërkombëtare të naftës kanë pësuar luhatje dhe tendencë rritjeje në ditët e fundit.

Ekspertët paralajmërojnë se nëse konflikti përshkallëzohet më tej, shtrenjtimi i karburantit mund të pasohet nga një efekt zinxhir në ekonomi, duke ndikuar jo vetëm në çmimin e energjisë elektrike, por edhe në rritjen e çmimeve të produkteve të shportës për konsumatorët.