Prokuroria e Posaçme ka zbuluar episode të tjera të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Kolumbia drejt Evropës dhe Shqipërisë, në kuadër të hetimeve për laboratorin e drogës të zbuluar në Frakull të Fierit, ku lënda narkotike fshihej nën lëkurat e kafshëve.
Për këtë çështje, më herët Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte dënuar 10 persona, ndërsa së fundmi janë lëshuar edhe 5 masa të tjera sigurie “arrest në burg”. Nga këta, tre persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit zyrtar, procedimi penal lidhet me trafikimin gjatë vitit 2022 të rreth 485.5 kilogramë kokainë, e cila ishte importuar nga Kolumbia dhe ishte fshehur në një ngarkesë me “pleh organik artificial”. Ngarkesa u sekuestrua më 24 nëntor 2022 në Frakull të Madhe të Fierit.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të datës 4 mars 2026, policia ka arrestuar shtetasit K. Gj., M. Gj. dhe A. Z., ndërsa shtetasit K. (alias A.) M. dhe D. K. janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin e tyre në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Nga hetimet e SPAK është bërë e mundur identifikimi i pesë bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar në këtë aktivitet kriminal. Procedimi penal përfshin veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.
Në kuadër të operacionit, me autorizim të Gjykatës janë kryer kontrolle në disa banesa dhe automjete, ku janë sekuestruar edhe disa pasuri të konsideruara si të përfituara nga aktiviteti kriminal. Mes tyre janë katër automjete luksoze të markës Land Rover: një Range Rover Sport i vitit 2018, një Range Rover Evoque i vitit 2012, një Land Rover Discovery i vitit 2012 dhe një Range Rover Velar i vitit 2017, si dhe dy telefona celularë.
Për këtë dosje janë dënuar më herët Nikolin Gjolena, Viktor Çervanaku, Denilson Çervanaku, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra), Zenel Çervanku, Enxhi Ferhati, Redion Meshi, Julian Malaj, Bledar Matoshi dhe Marildo Rona, ndërsa vijon gjykimi për shtetasin kolumbian Samir Rosales Rodriguez.
Prokuroria e Posaçme bëri me dije se hetimet do të vijojnë për administrimin e provave të tjera dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës. SPAK falënderoi gjithashtu autoritetet e drejtësisë së Malit të Zi dhe Kolumbisë, si dhe Eurojust dhe Europol për bashkëpunimin në këtë çështje.
Sipas ligjit, çdo person konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.