SPAK ka kërkuar që ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, të shpallet fajtor dhe të dënohet me 7 milionë lekë gjobë.
Prokurorja Dorina Bejko paraqiti konkluzionet përfundimtare në gjyqin ndaj Spahisë, i cili akuzohet për veprën penale të pengimit të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.
Sipas Prokurorisë, pavarësisht ekzistencës së një vendimi për pezullimin e shkarkimit nga detyra të Mark Mollës, Spahia ka vepruar duke e anashkaluar këtë vendim.
Nga hetimet rezulton se Bardh Spahia ka zhvilluar një mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme, ku është marrë vendimi për të mos riemëruar Mark Mollën në detyrë.
Më pas, më 18 korrik 2022, është zhvilluar një tjetër mbledhje, në të cilën Spahia ka vendosur lirimin nga detyra të Mark Mollës dhe emërimin e Arvit Bushatit në krye të Ujësjellës Kanalizime.
Seanca e radhës gjyqësore është caktuar të mbahet më 12 mars, në orën 13:00.