“S’e dija që ishin të lidhur!” Fotograf i VIP-ave dëshmon në gjyq për Trejsi Sejdinin dhe Leonard Dukën: “Tërhiqja para për të në New York”

Modelja shqiptare Trejsi Sejdini është përmendur shpesh në median rozë për shkak të zërave që e lidhnin me Leonard Dukën, i njohur ndryshe edhe me nofkën “Princi Damian”.

Emri i fitueses së Miss Universe Albania 2018 u përfshi edhe në dosjen e SPAK në maj të vitit 2024, ku sipas materialeve hetimore rezultonte se Duka kishte porositur një nga miqtë e tij që t’i dërgonte modeles 500 dollarë, ndërkohë që ajo ndodhej në New York. Paratë, sipas fashikujve të dosjes, ishte kërkuar që të kalonin në llogarinë e mikut të saj, fotografit Klevin Halili.

Së fundmi, në kuadër të gjykimit për dosjen “Revanshi”, para trupit gjykues ka dëshmuar vetë Halili. Ai ka treguar se me Sejdinin e lidh një miqësi e afërt dhe bashkëpunim profesional, duke theksuar se e njeh prej kohësh dhe se kanë udhëtuar disa herë bashkë.

Sipas dëshmisë së tij, në janar të vitit 2020 ata udhëtuan drejt Shteteve të Bashkuara për një qëndrim rreth njëmujor në New York, me qëllim pushimin dhe realizimin e disa seteve fotografike. Qëndrimi i tyre u zgjat për shkak të pandemisë së COVID-19. Gjatë asaj periudhe, modelja mori një banesë me qira, ndërsa Halili qëndroi te motra e tij.

“Nuk kam dëgjuar asnjëherë për Leonard Dukën. Trejsi Sejdinin e njoh, e kam shoqe dhe më lidh bashkëpunimi. Kemi shoqëri. Po kemi bërë pushime jashtë shteti. Në janar 2020 kam qenë në Amerikë me Trejsi Sejdinin. Kemi jetuar në New York. Qëllimi i udhëtimit ishte për qejf për 1 muaj për të vizituar New York. Ngecëm aty sepse na kapi Covidi, Trejsi u detyrua të merrte një shtëpi me qira atje, ndërsa unë kam jetuar te motra ime”, mësohet të ketë thënë ai.

Fotografi i VIP-ave ka mohuar kategorikisht se kishte dijeni për lidhjen e shumëpërfolur mes modeles dhe Leonard Dukës, duke thënë se për këtë gjë kishte mësuar vetëm nga mediat.

Gjatë dëshmisë së tij, Halili tregoi gjithashtu se modelja merrte herë pas here para që i dërgoheshin nga Shqipëria përmes pikave të transfertave financiare, ndërsa në disa raste paratë i kishte tërhequr vetë ai për llogari të saj.

“Shpenzimet e mia i ka paguar motra ime dhe njerëzit e saj, mami dhe babi im. 600–800 dollarë kanë dërguar prindërit e mi herë pas here. 600–1000 dollarë ishin shumat e parave që unë kam tërhequr për llogari të Trejsit. Ia kryeja unë si shërbim sepse ajo kishte punë, kishte photoshooting etj.”, u shpreh ai.

Pjesë nga dëshmia e plotë e Klevin Halilit:

Nuk kam dëgjuar asnjëherë për Leonard Dukën. Trejsi Sejdinin e njoh, e kam shoqe dhe më lidh bashkëpunimi. Kemi shoqëri. Po kemi bërë pushime jashtë shteti. Në janar 2020 kam qenë në Amerikë me Trejsi Sejdinin. Kemi jetuar në New York. Qëllimi i udhëtimit ishte për qejf për 1 muaj për të vizituar New York. Ngecëm aty sepse na kapi Covidi, Trejsi u detyrua të merrte një shtëpi me qira atje, ndërsa unë kam jetuar te motra ime.

Jo nuk jam në dijeni se me çfarë të ardhurash ka jetuar Trejsi. Ajo ka qëndruar me mua kemi bërë sete fotografike. Kemi qëndruar në shtëpi kemi bërë jetesë asgjë më shumë. Na ka lidhur shoqëria e ngushtë dhe puna. Nuk kam pasur dijeni për lidhje sentimentale që ka pasur Trejsi në atë periudhë. Nuk kam dëgjuar të flasë për Leonard Dukën. Unë e kam marrë vesh nga mediat këtë gjë, ka qenë periudha kur isha në Amerikë. Trejsin nuk e kam pyetur, as ajo s’më ka pyetur për lidhjet që unë kam pasur.

Trejsi Sejdini ka pasur gjërat e veta, tërhiqte lekë në Amerikë nga pikat e transfertave. Lekët vinin nga Shqipëria. Në 4-5 raste kam tërhequr lekë për Trejsi Sejdinin. Ti paraqitesh me një kod, merr dërgesën dhe nuk më ka interesuar se kush i ka nisur. Trejsi nuk më ka treguar se kush ia niste lekët, kanë qenë familjarë dhe shoqëri.

Kanë dërguar lekë edhe ata. Në Amerikë kam të njohur. Nuk jam tip kurioz, që të interesohesha kush ia niste. Nuk e di nëse kanë qenë apo jo para krimi. Nga media mora vesh që kanë pasur një lidhje Trejsi dhe Leonard Dukën. Nuk jam takuar ndonjëherë Leonard Dukën, ai e ka suportuar disa herë ekonomikisht Trejsin kur ngeci në Amerikë. Nuk më kujtohet me sa para e ka ndihmuar. Programuam të rrinim 1 muaj e 1 javë. Unë do rrija te motra ime, ndërsa Trejsi mori një Airbnb. Shpenzimet e mia i ka paguar motra ime dhe njerëzit e saj, mami dhe babi im. 600-800$ kanë dërguar prindërit e mi herë pas here. 600-1000$ ishin shumat e parave qe unë kam tërhequr për llogari të Trejsit. Ia kryeja unë si shërbim sepse ajo kishte punë, kishte photoshooting, etj, ishin disa arsye.