Një situatë e pazakontë ka ndodhur pasditen e kësaj të enjte në emisionin e Rudina Magjistarit në TV Klan, ku e ftuar ishte gazetarja e njohur Rudina Xhunga.
Teksa sapo kishte nisur të fliste dhe të tregonte eksperiencat e saj në profesion, gazetarja ka shfaqur probleme shëndetësore.
“Më keni kapur në një ditë të keqe, sepse kam një problem shëndeti që nuk e kuptoj…”, u shpreh Xhunga gjatë bisedës.
Menjëherë moderatorja Rudina Magjistari i kërkoi të largohej nga studio për të kontrolluar gjendjen shëndetësore, pavarësisht se emisioni ishte në transmetim live.
“Për fat të mirë kishim edhe doktoreshën këtu”, u shpreh Magjistari ndërsa publiku në studio e duartrokiti gazetaren.
Në panel, për të folur mbi rolin e grave në prag të festave të 7-8 Marsit, ishte e ftuar edhe mjekja Edlira Rehovica, e cila e shoqëroi Xhungën jashtë studios dhe e asistoi menjëherë për të monitoruar gjendjen e saj.
Media që drejtohet nga Rudina Xhunga bëri më pas të ditur se gjendja e saj shëndetësore është stabilizuar dhe se aktualisht ajo ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
“Jeni shumë që na keni shkruar për shëndetin e Rudina Xhunga pasi gjatë intervistës live në emisionin ‘Rudina’ në TV Klan, nuk u ndje mirë. Duam t’ju themi të gjithëve se gjendja e zonjës Xhunga është e stabilizuar. Për momentin është e qetë dhe nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në reagim.