Në kushtet e zhvillimeve të fundit në Iran dhe ndikimit të tyre në tregjet ndërkombëtare, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve, si në nivel shumice ashtu edhe në pakicë, me fokus të veçantë tek çmimet e benzinës dhe naftës në pikat e shitjes me pakicë.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në tregtimin e karburanteve janë aktualisht nën monitorim. Autoriteti bën me dije se në rast se do të konstatohen luhatje çmimesh që tejkalojnë masën e ndryshimeve të regjistruara në bursat ndërkombëtare, do të ndërmerren masat e nevojshme në përputhje me kompetencat ligjore.
Në deklaratë theksohet se çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen vazhdimisht, duke reflektuar faktorë si oferta, kërkesa, kostot e përpunimit dhe zhvillime të tjera ekonomike apo gjeopolitike. Si rrjedhojë, pritet që edhe tregu vendas të ndjekë të njëjtin drejtim, në mënyrë proporcionale me luhatjet në bursë.
Sipas Autoritetit, çdo devijim i pajustifikuar – përfshirë rritje më të shpejta apo më të theksuara sesa trendi ndërkombëtar – mund të përbëjë tregues të sjelljeve jo konkurruese në treg. Institucioni paralajmëron se nuk do të tolerojë praktika që bien ndesh me logjikën e tregut, koordinim të çmimeve, abuzim me pozitën dominuese apo marrëveshje të bashkërenduara mes operatorëve.
Me këtë proces monitorimi synohet garantimi i transparencës, funksionimit të rregullt të tregut dhe mbrojtja e konsumatorëve nga çmime të padrejta.
Autoriteti sqaron se çdo veprim do të kryhet në zbatim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, pa u ndërthurur me kompetencat e institucioneve të tjera ligjzbatuese.