Reagime të forta ka nxitur propozimi i kryeministrit Albin Kurti për kandidimin e Glauk Konjufca në postin e Presidentit të Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar përmes një deklarate publike, duke theksuar se procesi i zgjedhjes së Presidentit duhet të zhvillohet me seriozitet të plotë, përgjegjësi institucionale dhe në frymën e konsensusit të kërkuar nga Kushtetuta.
Sipas LDK-së, takimet e deritanishme mes subjekteve politike kanë qenë konsultative dhe me synim gjetjen e një kandidati konsensual. Partia opozitare vlerëson se konsensusi nuk mund të ndërtohet si një proces ku njëra palë propozon emra dhe të tjerat thjesht ftohen t’i mbështesin.
LDK kritikon qasjen e Lëvizja Vetëvendosje, duke theksuar se ajo nuk reflekton përpjekje serioze për ndërtimin e një marrëveshjeje të gjerë politike, por e trajton procesin si një garë të zakonshme politike. Sipas tyre, pozita e Presidentit kërkon një figurë që përfaqëson unitetin institucional dhe gëzon besim të gjerë parlamentar.
Në reagim theksohet gjithashtu se mënyra si po zhvillohet procesi rrezikon kalimin e afateve kushtetuese dhe mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, në vend të sigurimit të stabilitetit institucional që, sipas LDK-së, qytetarët e presin dhe e meritojnë.