Një incident i rëndë është regjistruar në ambientet e Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ku është dhunuar drejtori i Ekzekutimit të Vendimeve, Fatmir Meta.
Sipas burimeve, Meta është sulmuar nga Klesti Çela, drejtori i Mjedisit, i cili raportohet se është kunati i Ergys Agasit, së bashku me tre persona të tjerë. Ngjarja dyshohet se ka ardhur pas një përplasjeje verbale të ndodhur një ditë më parë mes palëve.
Burime brenda institucionit bëjnë me dije se konflikti lidhet me një grup inspektimi për çështjen e dherave. Sipas tyre, Fatmir Meta kishte bllokuar mjete të disa subjekteve që derdhnin dhera në rrethinat e Tiranës.
Pas debatit të mëparshëm, situata ka degraduar në dhunë fizike brenda ambienteve të institucionit. Raportohet se Meta është goditur nga Çela dhe persona të tjerë që e shoqëronin, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende për t’u sqaruar nga hetimet.
Pas incidentit, mësohet se Çela është paraqitur në zyrën e drejtorit të IKMT, Afrim Qendro, ku ka kërkuar dorëheqjen e tij.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga IKMT apo nga palët e përfshira, ndërsa pritet që rasti të hetohet nga organet kompetente.