Mes tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme dhe raportimeve në disa media të huaja për një sulm të mundshëm ndaj kampit Ashraf-3 në Shqipëri, ka reaguar organizata opozitare iraniane e njohur si MEK.
Përmes një deklarate, zëdhënësi i kampit në Manëz, Shahriar Kia, i ka cilësuar këto lajme si propagandë të orkestruar nga regjimi i Teheranit, duke mohuar kategorikisht çdo mundësi që territori shqiptar të shënjestrohet nga raketa iraniane.
Sipas tij, pretendimet për një sulm ndaj bazës ku është vendosur People’s Mojahedin Organization of Iran nuk mbështeten në asnjë fakt konkret dhe synojnë krijimin e panikut.
“Lajmet e publikuara nga Irani për mundësinë e një sulmi me raketa ndaj Ashraf 3 dhe mbulimi i tyre në disa media shqiptare janë thjesht propagandë e orkestruar nga regjimi iranian. Kjo po bëhet për qëllime lufte psikologjike, për të krijuar shqetësim dhe kaos në Shqipëri”, është shprehur Shahriar Kia.
Ai ka shtuar se, sipas vlerësimit të tyre, kapacitetet raketore të Iranit nuk mund të arrijnë territorin shqiptar, duke e cilësuar të parealizueshëm një skenar të tillë.
Reagimi vjen në një moment kur situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa autoritetet shqiptare nuk kanë bërë një deklaratë zyrtare lidhur me këto raportime.