“I rashë borisë, më shau”, zbardhet dëshmia e autorit të dyshuar për vrasjen e Egli Pashollarit: “U vetëmbrojta”

Gazment Buçpapaj, i arrestuar mbrëmjen e së hënës në Tropojë si autor i dyshuar i vrasjes së Egli Pashollarit më 20 shkurt, në zonën e njohur si ish-parku, është marrë në pyetje nga oficerët e policisë, ku ka dhënë versionin e tij për ngjarjen.

Sipas dëshmisë së siguruar nga BalkanWeb, 40-vjeçari ka pretenduar se veprimin e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes. Ai ka deklaruar se ditën e ngjarjes kishte marrë bashkëshorten nga puna dhe po drejtohej drejt spitalit, por rruga, sipas tij, ishte e bllokuar.

Buçpapaj ka pohuar se i ka rënë borisë automjetit përpara, ndërsa pretendon se është ofenduar nga drejtuesi tjetër. Sipas deklarimit të tij, të dy mjetet kanë vijuar lëvizjen për rreth 100 metra, moment kur, sipas tij, Egli Pashollari ka ndaluar automjetin, ka zbritur dhe e ka ofenduar sërish.

Në vijim, ai ka treguar se situata ka degraduar në përplasje fizike me grushte dhe se më pas e ka goditur me mjet prerës, duke pretenduar se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.

Burime bëjnë me dije se pas ngjarjes së 20 shkurtit, Buçpapaj ka qëndruar në Tropojë, tek disa të afërm të tij, deri në momentin e arrestimit. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.