Presidentja e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), Maryam Rajavi, ka shpallur nga kampi “Ashraf 3” në Manëz të Durrësit nisjen e një periudhe tranzitore dhe formimin e një qeverie të përkohshme, duke deklaruar se fundi i udhëheqjes së Ali Khamenei shënon edhe fundin e regjimit të Velayat-e Faqih.
Në një mesazh drejtuar mbështetësve dhe komunitetit ndërkombëtar, Rajavi theksoi se “tani është koha për të vendosur lirinë dhe sovranitetin e popullit të Iranit”, duke shtuar se vetëm qytetarët iranianë kanë legjitimitetin për të përcaktuar të ardhmen politike të vendit të tyre.
Sipas saj, populli iranian kërkon një republikë demokratike të bazuar në ndarjen e fesë nga shteti dhe refuzon si regjimin fetar aktual, ashtu edhe rikthimin e monarkisë. Ajo nënvizoi se iranianët nuk kanë nevojë për ndërhyrje të huaj, por për të drejtën për të vendosur vetë mbi fatin e tyre.
Në emër të National Council of Resistance of Iran, Rajavi shpalli formimin e një qeverie të përkohshme, duke iu referuar Planit me Dhjetë Pika për transferimin e sovranitetit tek populli. Sipas deklaratës, sapo të krijohet qeveria tranzitore në territorin iranian, brenda gjashtë muajve do të organizohen zgjedhje të lira për një Asamble Kombëtare Legjislative dhe Kushtetuese.
Ajo u bëri thirrje forcave politike opozitare të bashkohen në një front solidariteti kombëtar, ndërsa personelit të ushtrisë dhe forcave të sigurisë t’i bashkohen popullit. Deri në krijimin e qeverisë së përkohshme, studentët, punëtorët, fermerët, profesionistët dhe strukturat e rezistencës, sipas saj, do të garantojnë rendin publik dhe funksionimin e shërbimeve bazë.
Rajavi theksoi se NCRI dhe qeveria e përkohshme “nuk kërkojnë pushtet për vete”, por synojnë transferimin e tij tek sovraniteti i popullit iranian, duke e mbyllur mesazhin me thirrjen për një republikë demokratike dhe të lirë.