Një lajm pozitiv për banorët e juglindjes dhe për të gjithë drejtuesit e mjeteve që përdorin këtë segment të rëndësishëm rrugor. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar se aksi nacional Librazhd–Prrenjas do të hapet zyrtarisht për qarkullim ditën e martë, më 3 mars, duke nisur nga ora 12:00.
Segmenti pranë fshatit Dragostunjë, në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, ishte bllokuar prej rreth dy javësh si pasojë e rrëshqitjes së një masivi të madh dheu. Për arsye sigurie, u vendos bllokimi total i qarkullimit, çka solli vështirësi për lëvizjen drejt juglindjes dhe anasjelltas. Në ditët e para u përdorën rrugë alternative nga Gramshi, ndërsa për kamionët e transportit ndërkombëtar u lejua kalimi përmes Pikës Kufitare të Bllatës.
Sipas ARRSH, gjatë kësaj periudhe kompania kontraktore ka angazhuar të gjithë personelin në terren, duke dislokuar disa eskavatorë dhe mbi 20 kamionë për përballimin e situatës. Në zonë kanë qenë të pranishëm edhe ekspertë të Autoritetit Rrugor dhe të Institutit Gjeologjik, të cilët kanë ndjekur nga afër ndërhyrjet.
Fillimisht është realizuar devijimi i shtratit të lumit për të shmangur rrezikun e mëtejshëm, ndërsa më pas është punuar intensivisht për hapjen e një rruge provizore. Paralelisht kanë vijuar edhe punimet në kuadër të Korridorit VIII.
Drejtuesit e ARRSH konfirmojnë se nga mesdita e së martës do të lejohet qarkullimi për të gjitha kategoritë e automjeteve, duke rikthyer normalitetin në një nga akset më të rëndësishme që lidh zonën juglindore me pjesën tjetër të vendit.