Alarm për bombë në Tiranë? Xhenierët hapin çantën e dyshimtë në “Bardhok Biba”, zbulohet çfarë kishte brenda

Një valixhe e dyshimtë ka ngritur alarmin mbrëmjen e së hënës në rrugën “Bardhok Biba”, në kryeqytet.

Sipas njoftimit të Policia e Shtetit, rreth orës 18:30 Salla Operative është informuar për praninë e një valixheje të braktisur në trotuar. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat kanë bërë rrethimin e zonës dhe kanë njoftuar forcat xheniere për verifikime të specializuara.

Pas hapjes së kontrolluar të valixhes, është konstatuar se brenda saj ndodheshin vegla pune ndërtimi. Nga këqyrja e pamjeve filmike ka rezultuar se ajo ishte harruar nga disa punonjës ndërtimi që po punonin në zonë.

Autoritetet bëjnë me dije se situata u menaxhua pa incidente dhe nuk rezultoi asnjë rrezik për qytetarët.