Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar vdekjen e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei. Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, ku kreu i Shtëpisë së Bardhë e cilësoi Khamenein si “një nga njerëzit më të këqij në histori”.
Sipas Trump, vdekja e Khameneit përfaqëson drejtësi jo vetëm për popullin iranian, por edhe për amerikanët dhe qytetarë të tjerë në mbarë botën që, sipas tij janë prekur nga veprimet e liderit iranian.
“Khamei, një nga njerëzit më të këqij në histori, ka vdekur. Kjo nuk është vetëm drejtësi për popullin e Iranit, por për të gjithë amerikanët e mëdhenj dhe ata njerëz nga shumë vende në të gjithë botën, që janë vrarë ose gjymtuar nga Khamenei…” , shkruan Trump ndër të tjera.
Ai theksoi se operacioni u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Izraelin dhe falë kapaciteteve të avancuara të inteligjencës amerikane.
Presidenti shtoi se kjo ngjarje hap një mundësi të re për Iranin, duke pretenduar se brenda forcave të sigurisë iraniane ka zëra që nuk duan më të vijojnë përballjen.
Ndërkohë, ai paralajmëroi se bombardimet do të vazhdojnë për aq kohë sa të konsiderohet e nevojshme, me qëllimin për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.