Pas disa orësh kërkime intensive nga autoritetet greke, është vetëdorëzuar në polici 17-vjeçari grek që dyshohet se qëlloi për vdekje me thikë bashkëmoshatarin shqiptar, Aleks Vangjeli.
Sipas mediave vendase, i mituri është paraqitur në komisariat pak pas orës 18:00, ku mësohet të ketë deklaruar: “Erdha të dorëzohem, unë jam ai që po kërkoni.”
Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin e Lutraqit. Viktima, 17-vjeçari shqiptar Aleks Vangjeli, u godit me thikë, ndërsa një 19-vjeçar që ndodhej me të mbeti i plagosur rëndë.
Nga hetimet paraprake rezulton se Aleks Vangjeli, pasi ishte goditur, është kthyer në banesë dhe është shtrirë për të fjetur, duke mos i treguar familjes për plagën. Në orët e para të mëngjesit ai u gjet pa shenja jete nga i vëllai, i cili e transportoi drejt Spitalit të Korinthit, ku mjekët konfirmuan vdekjen e tij si pasojë e plagëve të marra.
Ndërkohë, 19-vjeçari i plagosur u paraqit në Qendrën Shëndetësore në Lutraqi me një plagë thike, duke pretenduar fillimisht se ishte lënduar në një aksident automobilistik. Mjekët kanë sqaruar se dëmtimi nuk përputhej me këtë version. Para hetuesve, ai ka refuzuar të japë detaje të mëtejshme, duke deklaruar vetëm se shoku i tij ishte goditur për vdekje me thikë.
Gjatë operacionit për identifikimin e autorit, policia kishte ndaluar edhe tre persona të tjerë nën dyshimin e përfshirjes në ngjarje. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.