Të paktën një person ka humbur jetën dhe 39 të tjerë janë plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë, pasi një tramvaj doli nga shinat në qytetin verior italian të Milanos.
Tramvaji i mbushur me pasagjerë po lëvizte në rrugën Vittorio Veneto rreth orës 16:00 me orën lokale, kur dyshohet se u përplas në anën e një ndërtese. Viktima mendohet të jetë goditur nga tramvaji, ndërsa shumica e të plagosurve janë pasagjerë.
Në vendngjarje kanë mbërritur dhjetëra ambulanca dhe raportohet se disa persona kanë mbetur të bllokuar në mjet. Ekipet e emergjencës dhe mbrojtjes civile kanë ngritur një tendë për t’u ardhur në ndihmë të lënduarve.
Dëshmitarët okularë përshkruan momente paniku. “Mendova se ishte tërmet. Isha ulur dhe rashë në dysheme bashkë me pasagjerët e tjerë. Ishte e tmerrshme,” tha një pasagjer për agjencinë italiane të lajmeve Ansa.
“Dëgjova një zhurmë të jashtëzakonshme. Pashë që një pjesë e tramvajit kishte hyrë brenda një dyqani,” u shpreh 27-vjeçarja Anna, e cituar nga AFP.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Mediat lokale raportojnë se tramvaji mund të ketë marrë një kthesë të fortë me shpejtësi të lartë, përpara se të dilte nga shinat.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur kryetari i bashkisë së Milanit, Giuseppe Sala, si dhe zyrtarë të tjerë vendorë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.