Gjykata e Lartë rrëzon rekursin, Eria Ago mbetet në “Arrest në shtëpi” për dosjen e vrasjes së Fatbardh Licit

Gjykata e Lartë ka vendosur të mos pranojë rekursin e Eria Agos, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” ndaj saj. Modelja, e njohur edhe si e dashura e Safet Bajrit, vijon të jetë nën hetim për rolin e dyshuar në atentatin ndaj Fatbardh Licit.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme e Apelit zbuti masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi”. Megjithatë, kërkesa e saj për ndryshim të mëtejshëm të masës nuk u pranua nga Gjykata e Lartë.

Eria Ago u arrestua më 26 shkurt 2025, nën dyshimet se ka ndihmuar autorët e vrasjes së Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur më 10 gusht 2018 në zonën e Kirasit, në Shkodër. Sipas hetimeve, ajo dyshohet se ka transportuar nga Shkodra drejt Tiranës një prej të përfshirëve në atentat, duke përdorur një automjet tip “Benz” me targë AA 989 TE, i identifikuar në pamjet filmike të administruara në dosje.

Referuar materialeve hetimore, pas ngjarjes, Astmer Bilali është larguar drejt Tiranës nën drejtimin e mjetit nga Eria Ago, ndërsa Safet Bajri ka qëndruar në Shkodër. Në Tiranë, sipas dosjes, automjeti i është dorëzuar Pëllumb Gjokës, ndërsa më pas Bilali është larguar drejt Vlorës, pas kontakteve të pretenduara edhe me Behar Bajrin.

Pavarësisht akuzave dhe provave të paraqitura nga prokuroria, Eria Ago ka mohuar përfshirjen në ngjarje dhe ka kërkuar lirinë, duke pretenduar pafajësi. Hetimet vijojnë.