“Gjuha shqipe nuk është zyrtare!” SKANDALI në Maqedoninë e Veriut, ministrja përplaset me gazetarët në Tetovë

Një debat i fortë ka shpërthyer në Maqedoninë e Veriut pasi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, është përfshirë sërish në polemika lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në aktivitetet zyrtare.

Gjatë një mbledhjeje ku po diskutoheshin propozimet për ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë, Janevska u ka kërkuar profesorëve dhe drejtuesve të Universiteti i Tetovës që të flisnin maqedonisht, me arsyetimin se nuk e kuptonte gjuhën shqipe.

Kërkesa e saj ka shkaktuar reagim të menjëhershëm nga gazetarët e pranishëm, të cilët i kanë sugjeruar që në raste të tilla të shoqërohej me përkthyes. Ministrja është kundërpërgjigjur duke deklaruar se gjuha zyrtare në vend është maqedonishtja dhe se, sipas saj, të gjithë duhet ta përdorin atë.

Nuk është hera e parë që Janevska përfshihet në debate të tilla. Në një rast të mëparshëm, ajo i kishte kërkuar kryetarit të Tetovës, Bilal Kasami, që të fliste maqedonisht gjatë një konference, por ai vijoi komunikimin në shqip.

Ndaj situatës ka reaguar edhe Bashkimi Demokratik për Integrimin, e cila ka theksuar se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare e garantuar me ligj dhe jo thjesht gjuhë komuniteti.

Pjesë nga debati me gazetarët:

A mendoni se herën tjetër duhet të merrni përkthyes me vete për të kuptuar gjuhën shqipe?

Janevska: Maqedonia e Veriut ka një gjuhë zyrare dhe një tjetër që e flasin komunitetet. Unë ndodhem në Tetovë ku flitet gjuha shqipe, unë nuk duhet të kem përkthyes. Ju duhet ta dini gjuhën maqedonase. Unë pak kuptoj, por për të mos gabuar në përkthim ju lutem që të më përktheni në mënyrën më të kuptuar.

Herën tjetër kur të vini në tetovë duhet të merrni përkthyes, ju detyron ligji!

Janevska: Nuk më detyron ligji, a doni ta prishni e të flasim për ligjin? Doni të prishni ngjarjen e bukur për të cilën unë kam ardhur këtu sot?