Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar 1,500 kuota të reja për mbështetjen e familjeve me kredi të buta në kryeqytet. Vendimi vjen pas rritjes së ndjeshme të kërkesave për programin social të subvencionimit të interesave të kredisë.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, Kryetarja e Deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, bëri të ditur se në thirrjen për aplikime për vitin 2025 u shpallën fitues 1,231 individë ose familje me fondet e buxhetit të shtetit. Duke parë trendin në rritje të aplikimeve, Bashkia e Tiranës ka planifikuar në programin buxhetor afatmesëm 2026–2028 mbulimin e 1,500 kuotave të reja me fondet e saj.
Sipas saj, programi synon të mbështesë familjet dhe individët që:
- Nuk kanë banesë në pronësi ose zotërojnë sipërfaqe nën normat e strehimit;
- Nuk kanë kryer tjetërsim prone në 5 vitet e fundit (përveç rasteve të forcës madhore);
- Nuk përballojnë dot normën e interesit të tregut për blerjen e një banese.
Ristani theksoi se projektvendimi synon rritjen e aksesit në pronësi për familjet e reja, uljen e barrës financiare nga interesat bankare, si dhe forcimin e rolit të Bashkisë së Tiranës në politikat sociale dhe stabilitetin demografik.
Fazat e aplikimit
Faza I
– Aplikimi elektronik përmes portalit “e-Albania”
– Afati: 30 ditë
– Shpallja publike e listave
Faza II
– Dorëzimi i dokumentacionit (fizikisht ose me postë)
– Verifikim administrativ brenda 30 ditëve
– Shqyrtim nga Komisioni i Strehimit brenda 45 ditëve
Në çdo fazë parashikohet e drejta e ankimimit, duke garantuar një proces të rregullt administrativ për të gjithë aplikuesit.