Rrugët në qendër të debatit, Rama publikon pamje nga Portugalia dhe ironizon: “Pse nuk e denonconi në SPAK?”

Situata me disa akse rrugore në vend ka ndezur përplasje politike, ndërsa problematikat e ditëve të fundit kanë sjellë vështirësi në qarkullim, veçanërisht në juglindje pas bllokimit në zonën e Arra e Gurrës. Përveç këtij segmenti, edhe akse të tjera kanë shfaqur dëmtime si pasojë e kushteve atmosferike dhe fenomeneve natyrore.

Në këtë klimë reagimesh, kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social X pamje nga një rrugë e dëmtuar në Portugali, duke sugjeruar se fenomene të ngjashme ndodhin edhe në vende të tjera.

Në postimin e tij, Rama ka përdorur tone ironike ndaj opozitës dhe debatit mediatik në vend, duke pyetur se përse rasti në Portugali nuk është “denoncuar në SPAK” siç ndodh, sipas tij, me çdo problem infrastrukturor në Shqipëri. Ai e ka shoqëruar reagimin me një koment të gjatë, ku ironizon atë që e quan standard të dyfishtë në trajtimin e çështjeve publike.

Postimi i kreut të qeverisë vjen në një moment kur infrastruktura rrugore është kthyer në një nga temat kryesore të debatit politik. Nga njëra anë, opozita ka ngritur akuza për cilësinë e punimeve dhe menaxhimin e fondeve publike; nga ana tjetër, mazhoranca argumenton se dëmtimet janë pasojë e fenomeneve natyrore dhe se situata të tilla ndodhin në çdo vend.

Debati pritet të vijojë, ndërsa institucionet përgjegjëse janë angazhuar për ndërhyrje në segmentet problematike dhe rikthimin e qarkullimit në normalitet.