Pamjet zbardhin aksidentin tragjik në Tiranë: 7-vjeçari u përplas pasi Shukulli i dha para, gruaja e goditi për vdekje dhe u largua nga vendngjarja

Janë zbardhur detaje të reja nga aksidenti fatal që i mori jetën një 7-vjeçari, ndërsa pamjet filmike kanë ndihmuar në sqarimin e plotë të dinamikës së ngjarjes.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, i mituri ndodhej në rrugë duke lypur në momentin e aksidentit. Ai i ka dalë përpara automjetit që drejtohej nga Tomorr Shukulli për t’i kërkuar para. Në pamje shihet se drejtuesi i jep disa monedha, të cilat i bien në tokë fëmijës. Ndërsa ai ulet për t’i mbledhur, semafori kalon në jeshile për automjetet dhe makina vihet në lëvizje.

Edhe pse në dëshminë e tij Shukulli ka mohuar përplasjen, kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur automjeti i tij e godet të miturin.

Megjithatë, goditja fatale dyshohet të jetë shkaktuar nga një automjet i dytë, i drejtuar nga një 42-vjeçare, e cila e ka përplasur sërish fëmijën. Pas përplasjes së dytë janë dëgjuar thirrje nga kalimtarët, ndërsa Shukulli ka zbritur nga automjeti dhe e ka transportuar 7-vjeçarin drejt spitalit të Traumës për ndihmë mjekësore.

Ndërkohë, drejtuesja e automjetit të dytë është larguar nga vendngjarja. Pamjet e siguruara nga kamerat e zonës, si dhe regjistrime të tjera të reja, kanë ndihmuar në dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive.