Policia e Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra inspektorin Aurel Kaziu, me funksion agjent i policisë kriminale në Komisariatin e Kamzës, pas ndalimit të tij nga autoritetet kosovare.
Sipas njoftimit zyrtar, pezullimi erdhi pas informacionit nga pala kosovare se Kaziu u arrestua së bashku me dy persona të tjerë, nën dyshimin për tentativë të futjes në Kosovë të rreth 1 milion eurove të padeklaruara.
Rasti u zbulua nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ndaloi për 48 orë policin shqiptar dhe dy shtetas kosovarë, të identifikuar si Etnik Ahmaxhokaj dhe Ardit Laska, të dyshuar për veprën penale të “pastrimit të parave”.
Automjeti tip furgon, që dyshohet se ishte në përdorim të Kaziut, u përzgjodh për kontroll të detajuar në pikëkalimin kufitar të Merdarës, bazuar në analizën e riskut. Fillimisht mjeti u kontrollua me skaner me rreze X, ku u evidentua një hapësirë e modifikuar në dysheme.
Më pas, Policia Kufitare e Kosovës përdori pajisje të specializuara për kontroll më të thelluar, duke zbuluar pakot me para të fshehura. Pas numërimit, shuma rezultoi rreth 1 milion euro.
Autoritetet në Kosovë dhe Shqipëri po vijojnë hetimet për të përcaktuar origjinën e parave dhe destinacionin e tyre përfundimtar. Dyshimet paraprake flasin për përfshirje të mundshme të një grupi kriminal që mund të ketë përdorur rrugët tokësore për transportimin e shumave monetare mes vendeve.