“Ka emra të mëdhenj pas kësaj!” Humbi të birin në tragjedinë e Tempit, Pano Ruçi akuzon qeverinë greke për mbulim të së vërtetës: Ja çfarë transportohej në tren

Tre vite pas tragjedisë së rëndë në Greqi, ku humbi jetën i biri, Pano Ruçi vijon të kërkojë drejtësi dhe një hetim të plotë për shkaqet reale të aksidentit në Tempi. Në një intervistë për Euronews Albania, ai hodhi akuza të forta ndaj autoriteteve greke, duke pretenduar se pas ngjarjes fshihen interesa të fuqishme.

Ruçi theksoi se përplasja fatale e 28 shkurtit 2023, ku humbën jetën 57 persona, nuk mund të reduktohet vetëm në “gabim njerëzor”, siç është deklaruar zyrtarisht. Sipas tij, sistemi hekurudhor kishte dështime serioze, por pikëpyetja më e madhe mbetet zjarri masiv që shpërtheu pas përplasjes.

Ai pretendon se në tren po transportoheshin lëndë të ndezshme në mënyrë të paligjshme, duke ngritur dyshime për kontrabandë dhe përfshirje personash me ndikim. “Ka njerëz të fuqishëm mbrapa dhe po përpiqen ta mbulojnë,” është shprehur ai.

Tragjedia ndodhi kur një tren pasagjerësh që udhëtonte nga Athina drejt Selanikut u përplas ballë për ballë me një tren mallrash pranë grykës së Tempit. Shumë nga viktimat ishin studentë që po ktheheshin në universitet pas pushimeve. Mes tyre edhe gjashtë shqiptarë: Klaudia Lato, Ifigjenia Micka, Erieta Molko, Ioanis Xhiollas, Denis Ruçi dhe Pavlin Bozo.

Hetimet zyrtare kanë evidentuar gabime njerëzore dhe probleme serioze në sistemin hekurudhor grek, ndërsa përgjegjësia kryesore iu atribua shefit të stacionit të Larisës. Megjithatë, familjarët e viktimave kërkojnë rihapje të hetimeve, sidomos për të sqaruar shkaqet e zjarrit që pasoi përplasjen.

Ruçi më herët ndërmori edhe një grevë urie dhe kërkoi zhvarrosjen e trupit të djalit të tij për analiza të plota toksikologjike, duke theksuar se beteja e tij nuk është vetëm personale, por për të zbardhur të gjithë të vërtetën mbi një nga tragjeditë më të rënda hekurudhore në Greqi.