Përkeqësohet situata në Librazhd-Pogradec, dëmtohet edhe traseja e re e Korridorit VIII/ Në pritje të raportit gjeologjik, punimet të pezulluara

Katër ditë pas çarjes së parë të asfaltit, aksi nacional Librazhd-Pogradec vijon të mbetet i bllokuar dhe plotësisht i pakalueshëm. Situata në segmentin e njohur si “Arrat e Gurrës” është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa në terren nuk ka ende rifillim të punimeve.

Fillimisht gjithçka nisi me një krisje në sipërfaqen e asfaltit, por brenda pak orësh plasaritja u thellua, duke sjellë fundosjen e plotë të trupit të rrugës. Pamjet nga zona tregojnë një rrëshqitje masive dheu që nis nga maja e kodrës dhe zbret deri në shtratin e lumit Shkumbin, duke dëmtuar të gjithë strukturën mbajtëse të segmentit.

Sipas burimeve për media, dëmtime ka pësuar edhe traseja e re, pjesë e projektit të Korridori VIII. Ura në këtë zonë rezulton e degraduar, ndërsa asfalti ka ceduar në mënyrë të pakthyeshme, duke e bërë të pamundur qarkullimin.

Tentativa për hapjen e një by-pass-i provizor në anën e sipërme të rrugës ekzistuese është ndërprerë për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet e vazhdueshme të tokës. Që prej ditës së djeshme nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje e re, ndërsa pritet raporti përfundimtar i Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, i cili do të përcaktojë shkaqet dhe masat për stabilizimin e zonës.

Paralelisht, kanë nisur hetime për disa vepra penale, mes tyre “Shpërdorim detyre”, “Shkelje e barazisë në tendera”, “Shkatërrim prone” dhe “Ndotje e mjedisit”. Në fokus është edhe aktiviteti i kompanive që po zbatojnë lotin e shtatë të autostradës, pjesë e projektit të Korridorit VIII.

Loti në fjalë është fituar nga ANK SHPK, në pronësi të biznesmenit Agim Kola. Dyshimet paraprake lidhen me ndërhyrje në terren, përfshirë bllokimin e përrenjve dhe marrjen e inerteve nga lumi, që mund të kenë ndikuar në destabilizimin e shpatit.

Si pasojë e bllokimit, qytetarët e Korçës, Pogradecit, Përrenjasit dhe Librazhdit po përdorin aksin alternativ Maliq-Gramsh për të udhëtuar drejt Tiranës, një devijim që zgjat kohën e udhëtimit dhe konsiderohet me risk të shtuar për sigurinë rrugore.