Noizy përballet në gjykatë me Laert Haxhiun/ I forti i Lushnjes i vuri tritol biznesit të reperit si hakmarrje për dhunën ndaj Cllevios

Reperi Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit Noizy, është thirrur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të marrë pjesë në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiu, si palë e dëmtuar në një prej episodeve kriminale që i atribuohen këtij të fundit.

Burime bëjnë me dije se Noizy mund të paraqitet personalisht në sallën e gjyqit ose të përfaqësohet nga avokati i tij. Pjesë e procesit mund të jenë edhe familjarë të tij.

Çështja lidhet me atentatin me lëndë plasëse të ndodhur më 8 qershor 2022 në Durrës, ku u dëmtuan ambientet e lokalit dhe butik-ut në pronësi të artistit. Shpërthimi në pjesën ballore të biznesit shkaktoi dëme materiale dhe tronditi opinionin publik.

Sipas hetimeve të Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani, vendosja e eksplozivit dyshohet se është bërë me urdhër të Haxhiut, si akt hakmarrjeje në lidhje me konfliktin mes Noizyt dhe Kleviol Ahmetit, i njohur si Cllevio.

Prokuroria ka ngritur ndaj Haxhiut dhe bashkëpunëtorëve të tij akuza të rënda, përfshirë “Shkatërrim të pronës me eksploziv”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale” si dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve dhe municionit”.