Pas një periudhe të gjatë pritjeje dhe procedurash institucionale, ishte dhënë miratimi për vendosjen e një stoli përkujtimor në nder të Martin Canit në ambientet e shkollës “Fan S. Noli”. Megjithatë, edhe pse Drejtoria Arsimore dhe Këshilli Bashkiak kishin dhënë dritën jeshile, stoli nuk u vendos brenda territorit të shkollës siç ishte planifikuar.
Sipas informacioneve të bëra publike nga gazetarja Ermelinda Hoxhaj, ka qenë drejtoresha e shkollës ajo që ka kundërshtuar vendosjen e stolit me foton e të ndjerit, duke mos lejuar instalimin e tij në ambientet e brendshme. Punonjësit e Bashkisë e kanë transportuar stolin pranë shkollës, por dyert u janë mbyllur.
Të zhgënjyer nga refuzimi, prindërit e Martinit, Ëngjëll dhe Florina Cani, nuk hoqën dorë nga nisma. Ata vendosën që stoli përkujtimor të instalohej në një ambient të jashtëm të shkollës, si një simbol kujtimi për djalin e tyre.
Martini humbi jetën vitin e kaluar pas një ngjarjeje të rëndë mes bashkëmoshatarësh, që tronditi jo vetëm familjen, por edhe komunitetin. Stoli ishte menduar si një shenjë reflektimi dhe një thirrje e heshtur kundër dhunës mes të rinjve, me shpresën që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.