Aksi kombëtar Librazhd–Pogradec është shembur plotësisht, duke lënë të bllokuar një nga segmentet më të rëndësishme lidhëse në juglindje të vendit. Çarja e shfaqur katër ditë më parë është përkeqësuar me shpejtësi, ndërsa sot rruga është fundosur në mënyrë masive.
Pamjet ajrore tregojnë se rrëshqitja nis nga maja e kodrës dhe përfundon në shtratin e lumit Shkumbin. Ura ka pësuar degradim të plotë, asfalti ka ceduar dhe dëmtimet duken të pariparueshme. Edhe përpjekja për hapjen e një bypass-i provizor në anën e sipërme të rrugës ekzistuese është ndërprerë, pasi është konsideruar e rrezikshme për jetën e punëtorëve.
Katër familje në fshatin Dragostinjë, pranë segmentit të dëmtuar, jetojnë me frikën se rrëshqitja mund të prekë edhe banesat e tyre.
Kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli, deklaroi se shembja është pasojë e faktorëve natyrorë, kryesisht reshjeve të shiut, duke hedhur poshtë pretendimet se dëmtimi lidhet me gërmime në shtratin e lumit Shkumbin nga kompani private. Sipas tij, subjektet që operojnë në zonë disponojnë leje të rregullta.
Megjithatë, Prokuroria ka nisur hetime për disa vepra penale, përfshirë “Shpërdorim detyre”, “Shkelje të barazisë në tenderë”, “Shkatërrim rruge” dhe “Ndotje të ajrit, ujit apo tokës”. Loti i shtatë i autostradës është fituar nga kompania “ANK”, kantieri i së cilës ndodhet rreth 2 km nga vendi i shembjes. E njëjta kompani ishte kontraktuar nga ARRSH për hapjen e bypass-it provizor.
Ndërkohë, qarkullimi drejt Tiranës për qytetarët e Korçës, Pogradecit, Përrenjasit dhe Librazhdit devijohet në rrugë alternative, të cilat zgjasin distancën dhe në disa segmente ofrojnë vetëm një korsi.
Rrugët alternative Tiranë–Korçë:
Për autoveturat:
- Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan
- Qafë Thanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë
Për mjetet e tonazhit të rëndë:
- Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni e Veriut – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbrit
Autoritetet nuk kanë dhënë një afat të qartë për rikthimin në funksion të segmentit, ndërsa situata mbetet kritike për qarkullimin dhe sigurinë në zonë.