Rama me helikopter nga Korça në Vlorë/ Cilët janë investitorët e huaj që kryeministri po i tregon qytetin bregdetar?

Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar këtë të hënë drejt Vlorës, menjëherë pas vizitës së zhvilluar në Korçë. Lëvizja drejt jugut u realizua me rrugë ajrore me helikopter, një zgjedhje që u komentua gjerësisht në media, në kontekstin e bllokimit të aksit Librazhd–Pogradec.

Në këtë vizitë, kreu i qeverisë nuk ishte i vetëm. Ai u shoqërua nga një grup investitorësh të huaj, të interesuar për të parë nga afër potencialin zhvillimor të juglindjes dhe jugut të vendit brenda një harku kohor 24-orësh. Pjesë e delegacionit ishte edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Sipas pamjeve të publikuara nga media lokale “Blu Tv”, Rama është ndalur në qendrën multifunksionale pranë Sheshit të Flamurit, duke u prezantuar investitorëve projektet dhe hapësirat me interes strategjik në qytetin bregdetar. Vizita është fokusuar në zona me potencial turistik dhe zhvillim urban.

Udhëtimi me helikopter u bë objekt diskutimi, për shkak të situatës së krijuar në aksin kombëtar Librazhd–Pogradec, i cili mbetet i pakalueshëm për shkak të rrëshqitjeve masive të tokës. Në një reagim zyrtar, Rama sqaroi se fluturimi ishte planifikuar më herët, përpara bllokimit të rrugës, dhe kishte si qëllim optimizimin e kohës për investitorët që synonin të vizitonin disa zona të vendit brenda një dite.

Vizita në Vlorë shihet si pjesë e përpjekjeve për tërheqjen e investimeve të reja, në një moment kur infrastruktura rrugore në disa segmente kyçe të vendit po përballet me sfida serioze.