Gjykata Kushtetuese rrëzon ndryshimet për Komisionet Parlamentare, i jep të drejtë opozitës: Procedurat e ndjekura nuk kanë qenë të rregullta

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka vendosur këtë të hënë të shfuqizojë vendimin e Kuvendit për ndryshimet në Rregulloren e Parlamentit që lidhen me ngritjen e komisioneve parlamentare. Sipas Gjykatës, procedurat e ndjekura nga mazhoranca nuk kanë qenë të rregullta dhe kanë cenuar parimin e demokracisë përfaqësuese.

Çështja u dërgua në Kushtetuese nga opozita, e cila kundërshtoi ndryshimet e miratuara me votim të njëanshëm nga Partia Socialiste në Parlament. Partia Demokratike e Shqipërisë argumentoi se përmes këtyre ndryshimeve opozita përjashtohej nga një rol thelbësor në procesin e integrimit europian.

Në vendimin e saj, Gjykata nuk është shprehur se përmbajtja e ndryshimeve është në vetvete antikushtetuese, por ka konstatuar se janë shkelur rregullat për thirrjen e mbledhjes së Kuvendit dhe procedura e miratimit të aktit. Sipas arsyetimit, këto shkelje kanë cenuar lirinë e shprehjes së deputetëve dhe funksionimin e rregullt të demokracisë parlamentare.

Gjykata ka vendosur që efektet e shfuqizimit të hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, duke i lënë kështu Kuvendi i Shqipërisë kohë për të riorganizuar komisionet parlamentare në përputhje me standardet procedurale të përcaktuara në vendim.

Në përfundim, Gjykata vendosi njëzëri pranimin e kërkesës dhe shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025, ndërsa vendimi i plotë dhe i arsyetuar do të publikohet brenda afateve ligjore.