“Diella”/ Rrëzohet kërkesa për pezullim, çështja shkon në themel: Aktorja kërkon 1 mln € dëmshpërblim

Gjykata Administrative e Tiranës ka rrëzuar kërkesën për sigurimin e padisë së aktores Anila Bisha ndaj Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Këshilli i Ministrave i Shqipërisë. Me këtë kërkesë synohej pezullimi i përdorimit të figurës së “ministres së Inteligjencës Artificiale”, Diella, deri në shqyrtimin e çështjes në themel.

Gjatë seancës, përfaqësuesit e Avokaturës së Shtetit dhe të kompanisë “Apel” argumentuan se pranimi i sigurimit të padisë do të sillte pasoja në funksionimin e ekzekutivit, pasi në praktikë do të përkthehej në pezullimin e një ministri.

Sipas palës së paditur, aktorja kishte dhënë pëlqimin për përdorimin e imazhit dhe zërit të saj, fakt që sipas tyre, provohet nga një material i dorëzuar në gjykatë, ku ajo shprehet dakord që të jetë imazh për shërbimet e-Albania.

Nga ana tjetër, avokati i saj, Aranit Roshi, theksoi se kontrata e lidhur parashikonte përdorimin e imazhit vetëm si asistente virtuale për platformën e-Albania, dhe jo për krijimin e një avatari me rol ministror. Sipas tij, krijimi i figurës “Diella” është bërë pa miratim paraprak dhe pa dijeninë e aktores, duke tejkaluar kufijtë e kontratës.

Pas dëgjimit të palëve, gjyqtari Armand Shkurta vendosi rrëzimin e kërkesës për sigurimin e padisë. Çështja do të shqyrtohet në themel, ku aktorja kërkon 1 milion euro dëmshpërblim për prishje imazhi.

Në padi pretendohet gjithashtu se përdorimi i të dhënave të saj ka çuar në krijimin e një “dublikate digjitale”, duke përfshirë imazhin dhe zërin, në kundërshtim me ligjin dhe pa pëlqim të vlefshëm.